"Të shtunën, një grup të pasionuarisht të natyrës, vrojtuan shpendët në këtë zonë, mes tyre edhe Ervin Allushi, një specialist i menaxhimit të florës dhe faunës pranë Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, i cili tha për BIRN se zona është jetike për shumë specie.
“Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është simbol për sa i përket numrit të shpendëve dhe specieve ku kemi rreth 245 lloje,” tha Allushi, duke shtuar se laguna është zona e vetme folenizimi për Pelikanin Kaçurrel.
Megjithatë, një megaprojekt urbanizimi i kompanisë Mabetex, në pronësi të biznesmenit dhe politikanit nga Kosova, Behxhet Pacolli, rrezikon t’i japë fund jetesës së qetë të shpendëve në këtë park.
Orintologu Taulant Bino, i cili studion shpendët dhe drejton organizatën AOS që merret me vrojtimin dhe mbrojtjen e tyre, e sheh si të pamundur bashkëjetesën e foleve dhe pallateve këtu.
“Për fat të keq, kjo ligatinë pavarësisht rëndësisë që ka kërcënohet nga faktorë të ndryshëm, por ai që ne e quajmë më të rrezikshmin dhe që në afatgjatë e heq nga faqja e dheut është zhvillimi i modeleve të turizmit masiv,” tha Bino duke folur për BIRN.
“Shqetësimi i pranisë së njerëzve, infrastrukturës që do të shtohet, [do të bëjë që] këtu të mos kemi më park apo një ligatinë, gjithë këta shpendë që shohim sot nuk do të jenë më sepse shtëpia e tyre praktikisht digjet,” shtoi Bino duke iu referuar megaprojektit.
Në maj, 20 organizata mjedisore europiane i bënë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe ministrisë së mjedisit të mos i hapin rrugë projektit të urbanizimit të Parkut Divjakë-Karavasta, por ta lënë zonën në gjendjen natyrore."
