Opozita parlamentare: Nuk votojmë 'reformë të arnuar', duam lista të hapura

exit.al 2 Korrik 2020, 11:41

Opozita parlamentare ka ritheksuar të enjten se nuk do ta votojë në kuvend Reformën Zgjedhore nëse në të nuk përfshihen ndryshimi i sistemit dhe hapja e listave të deputetëve. Në një deklaratë për medias, 3 liderët e grupeve parlamentare, Myslym Murrizi, Edmond Stojku dhe Nimet Musai thanë se 31 deputetët e grupeve të tyre parlamentare nuk do të votojnë ‘një reformë të arnuar’. Myslym Murrizi u shpreh:

“Ne kemi kërkuar reformë të plotë zgjedhore, me lista të hapura dhe zbatimin e të gjitha rekomandimeve të OSBE-së.

Ata që janë jashtë interesave të pazareve do të qëndrojnë fort me votat e tyre për të mos votuar asnjë arnim.”

Murrizi është anëtar i grupit Demokrat, i cili ka 11 anëtarë, mes të cilëve dhe Rudina Hajdarin, pjesë e Këshillit Politik. Grupi tjetër ‘I pavarur’ ka 9 anëtarë dhe kryesohet nga Nimet Musaj, ndërsa grupi ‘Demokraci dhe drejtësi’ ka 11 deputetë kryesohet nga deputeti Edmond Stojku. Nuk dihet ende nëse tre kryetarët përfaqësojnë mendimin e të gjithë deputetëve në grupet e tyre.   Shpërndaje te miqtë