Një ton kokainë e kapur në Portin e Durrësit në katër muaj, asnjë 'kokë' e trafikut i arrestuar

exit.al 13 Korrik 2021, 20:31

Rreth 1 ton kokainë janë kapur nga policia në katër muajt e fundit në Portin e Durrësit, thotë Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

Reagimi i ministrit vjen pasi policia kapi të martën rreth 12 kilogram kokainë në një konteiner me banana i ardhur nga Ekuadori.

Kapjen e kësaj sasie të madhe kokaine në vetëm 4 muaj, ministri e quan rezultat të luftës kundër krimit të organizuar, ndonëse nuk ka ende fajtor për trafikimin e drogës.

Rreth 1 ton kokainë është tregues i volumit të lartë të trafikut që kalon përmes Shqipërisë dhe gjithashtu i fuqisë së madhe që kanë tashmë grupet e krimit të organizuar

Por për sasitë e kapura të kokainës policia ka arrestuar shoferë të mjekteve transportuese dhe ende asnjë kokë të këtyre grupeve.

Kompania në konteinerët e të cilës u gjet kokaina të martën është përfshirë në trafikun e 137 kg kokainë dy vite më parë, megjithatë asgjë nuk ka ndalur trafikun e linjës që përdor konteinerët e saj.