Nga 11 maji, 55 bashki shpallen zona të gjelbërta, lehtësohet qarkullimi i qytetarëve

exit.al 8 Maj 2020, 13:31

Nga e hëna, 11 maj, i gjithë vendi përveç bashkive Shkodër, Kurbin, Krujë, Durrës, Tiranë dhe Fier, do të jetë zonë e gjelbër, ku do të lejohet qarkullimi më i lehtësuar i qytetarëve, pa leje, por brenda fashave orare të cilat mund t’i lexoni këtu.

Lajmin e bëri të fitur kryeministri Rama në një postim në Facebook.

Këto zona do të blindohen me postblloqe dhe nuk do të lejohet hyrje-dalja e automjeteve të paautorizuara.

Në bashkitë e gjelbërta do të lejohet qarkullimi me automjete private pa nevojë për autorizim, deri në orën 21:00.

Qytetarët mund të lëvizin në këmbë, po ashtu, pa nevojë për tu pajisur me leje. Ata këshillohen të pajisen me masa mbrojtëse dhe të ruajnë distancat.

Për bashkitë e gjelbërta do të mbeten në fuqi vetëm rregullat që ndalojnë grumbullimin e më shumë se pesë personave, aktivitetet kulturore e sportive të çdo lloji, transportin publik si edhe bizneset që janë ende të mbyllura.