Naftëtarët përplasen me policinë: Vetëm të vdekur do i ndalojmë protestat

exit.al 17 Shtator 2020, 12:47

Naftëtarët e Ballshit janë përplasur me policinë gjatë protestës, përpara Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës. Ata kërkojnë të takojnë ministren Balluku, por policia nuk i lejon që t’i afrohen ministrisë. Protestuesit kërcënuan se nuk do të largohen nga ministria pa marrë garanci se do të marrin rrogat e prapambetura. Naftëtarët u shprehën se protestat  e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër dhe se situata tashmë është bërë e padurueshme. Ata paralajmëruan grevë urie nëse nuk marrin përgjigje nga qeveria. “Kemi thuajse 20 paga pa marrë, edhe pse i kemi fituar me gjyq. Jemi të papunë këta 11 muaj të fundit, pa bukë për fëmijët dhe familjet tona,” u shpreh një punëtor. Ndërsa një punëtore tjetër tha se nuk do të tërhiqen nga protesta:

“Të na japin rrogat që kemi punuar. O të hapet dera e ministrisë, o do vdesim këtu. Nuk kthehem më në Ballsh, vetëm e vdekur, se kam punuar, kam lënë gjakun atje. Kemi 3 vjet pa marrë rrogat, se pronari ikën në drejtim të paditur. Ç’është ky pronar, kush e sjell?”

Shpërndaje te miqtë