Naftëtarët në protestë pas bisedës me Ramën: Nuk morëm asnjë përgjigje

exit.al 22 Janar 2018, 12:28

Të mbetur pa përgjigje konkrete dhe pa të drejtë fjalë, naftëtarët e Fierit kanë nisur protestën përpara prefekturës së qytetetit, menjëherë pas mbarimit të video-konferencës me Kryeministrin Rama. Të mbledhur përpara prefekturës dhe me paralajmërimin se protestat do të vazhdojnë, naftëtarët u shprehën se nuk morën përgjigje nga kryeministri për rrogat dhe detyrimet e papaguara nga investitori që u prezantua nga Rama si shpëtimtari i rafinerisë. E vetmja kërkesë e naftëtarëve që mori një gjysëm-premtim nga ministri Gjiknuri është zbatimi i statusit të naftëtarit, i cili nuk zgjidh problemit mos pagesës së 29 rrogave të pamarra. Pyetjet që naftëtarët i drejtuan Kryeministrit Rama e ministrave Ahmetaj e Gjiknuri, por që nuk morën përgjigje janë:

"A ka qeveria dijeni për investime konkrete në rafinerine e Ballshit? Sipas marrëveshjes duhet të investoheshin 220 milionë dollarë, pse nuk janë bërë ende?"

"A mund të na thoni konkretisht kush është fati i 15 për qind të aksioneve të shtetit dhe çfarë roli luajnë ato?"

"Cilat janë borxhet e krijuara nga ARMO dhe a ka mekanizëm ligjor për lirimin e kompanisë nga këto borxhe?

"A mund të ngrihen qendra shëndetësore në Ballsh ose në Fier?"

"A i përmbaheni ju Kryeministër premtimit që bëtë në fushatë zgjedhore se punonjësit e Ballshit do të marrin leket e prapambetura?"

Shpërndaje te miqtë