Moti i keq shkakton viktima dhe përmbytje

exit.al 19 Mars 2018, 10:45

Moti i keq me reshje të dendura shiu ka shkaktuar probleme dhe viktima në të gjithë vendin.

Një 67 vjeçar humbi jetën në Vlorë, teksa po kalonte në rrugë dhe si pasojë e erës së fortë, një vetratë xhami i ka rënë sipër.

Në Babicë, një ndërtesë u shemb por nuk ka pasur viktima. Dhjetëra banesa të tjera u dëmtuan si pasojë e erës së fortë.

Disa zona në veri janë përmbytur, por dhe akse kryesore rrugore në të gjithë vendin janë bllokuar si pasojë e rrëshqitjes së dherave.

Në qarkun e Shkodrës, rritja e nivelit të ujit të lumejve Drin e Buna, si dhe e Liqenit të Shkodrës, ka bërë që zona e njohur si Ultësira e Nën Shkodrës të jetë nën ujë.

Me vazhdimin e reshjeve në ditët në vijim,  Institutit të Gjeoshkencave ka parashiukuar se zona e përmbytur mund të zgjerohet.

Probleme të mëdha shiu po shkakton në qytetin e Durrësit, ku disa rrugë kryesore në qytet janë totalisht në ujë. Makinat qarkullojnë me vështirësi, ndërsa për kalimtarët është pothuaj e pamundur.

Rrugët më të prekura nga përmbytjet janë rruga ‘Aleksander Goga’, rruga ‘Skënderbe’, rruga ‘Taulantia’, kryqëzimi i Stadiumit dhe tek rreth rrotullimi tek 'Stacioni i trenit'.

Në zonën pranë bregdetit e njohur si Currila, shiu ka shkaktuar rrëshqitjen e dherave në rrugë. Një prej korsive të automjetev është e palakueshme.

Në aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër, në zonën e njohur si Shkalla e Zezë, një masiv balte ka bllokur njërën korsi të rrugës, duke venë në vështirësi kalimin e rrugës.

Probleme ka pasur dhe në aksin Këlçyrë-Përmet, ku për shkak të rrëshqitjes së dherave rruga kalohet me vështirësi.

 

Shpërndaje te miqtë