Mogherini takon Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor

exit.al 25 Maj 2017, 12:54

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë Federica Mogherini zhvilloi dje një mbledhje joformale me Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë  Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, të cilat deri dje ishin në një krizë të thellë politike. Kujtojmë se BE luajti rol kryesor në zgjidhjen e krizave në këto vende. Në Shqipëri, BE nën të ashtuquajturën marrëveshje McAllister, e cila më pas u pranua nën presion amerikan, i dha fund bojkotit të zgjedhjeve parlamentare nga opozita, duke zgjidhur në ketë mënyrë krizën tre mujore politike në vend. Mogherini ftoi Kryeministrin e Malit të Zi, të Kosovës të Shqipërisë, të Serbisë, të Maqedonisë dhe Kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës Denis Zvizdic për të diskutuar për të ardhmen e marrëdhënieve të rajonit me BE-në. Sipas njoftimit për shtyp të Zyrës Rajonale të Sigurisë (EEAS) e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian thuhet se:

Të gjithë të pranishmit shprehën vendosjen e tyre për të punuar në procesin e Integrimit Evropian sikurse u parashikua edhe nga Këshilli i Evropës në Mars të vitit 2017.

Ato përsëritën vendosshmërinë e tyre dhe ndanë interesin e fortë në forcimin e bashkëpunimit dhe arritjen e rezultateve të prekshme për qytetarët e rajonit.

Ato theksuan angazhimin e tyre për ruajtjen e marrëdhënieve të mira të fqinjësisë dhe thellimin e mirëkuptimit rajonal, përmes respektit reciprok dhe bashkëpunimit.

Përfaqësuesja e lartë/ Zëvendës Presidentja Mogherini i inkurajoi të gjashtë kryeministrat të përshpejtojnë punën e nevojshme për të plotësuar pritshmëritë e qytetarëve të tyre dhe të afrohen me të ardhmen e tyre në Bashkimin Evropian.

Mogherini zhvilloi edhe një takim dypalësh me Kryeministrin Edi Rama. Shpërndaje te miqtë