Atentati mafioz në Vlorë - Çfarë dihet deri më tani?

exit.al 25 Maj 2017, 10:36

Roland Saliu, Drejtori i OSHEE në Vlorë dhe Erven Hyseni, pronari i televizionit lokal “Vlora Channel”, u vranë dje në mbrëmje, në Vlorë, në një atentat mafioz. Çfarë dihet deri më tani rreth ngjarjes? Mbrëmë rreth orës 19:40, Roland Saliu dhe Erven Hyseni ishin në një prej kafeneve, në pronësi të biznesmenit Hyseni,  tek Sheshi i Flamurit në Vlorë. Dy viktimat ishin ulur në tavolina të ndryshme. Persona ende të paidentifikuar qëlluan në drejtim të tyre, me kallashnikov nga një makinë në lëvizje. Nga breshëria e plumbave, kreu i OSHEE Roland Saliu mbeti i vdekur, ndërsa Erven Hyseni u plagos rëndë dhe më pas ndërroi jetë rrugës për në spital. Autorët u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes. Policia ka gjetur në automjet të djegur në fshatin Panaja të Vlorës, që dyshohet se mund të jetë e autorëve. Pistat e hetimit? Deri më tani mësohet se policia po heton dy pista:

-Shënjestra e atentatit është Erven Hysenaj, që përveç bizneseve në zonën e Vlorës, njihet dhe si afërmi i Akil Rakipit, një prej viktimave të ngjarjes së rëndë të prillit 2015, që njihet si masakra e Çoles, ku mbetën të vrarë 3 të rinj dhe u plagos rëndë një i katërt.

-Shënjestra e atentatit është Roland Saliu për shkak të detyrës si Drejtori OSHEE-së Vlorë, detyrë të cilën e mbante prej dy vitesh.

Gjithsesi duket se hetimet janë përqendruar në pistën e parë duke qenë se Roland Saliu nuk ka pasur konflikte të ashpra gjatë punës së tij. Nga mënyra e organizimit, largimi me shpejtësi dhe masat e marra nga vrasësit  për të fshirë çdo gjurmë, duket se kemi të bëjmë me një vrasje të kryer nga profesionistë. Deri më tani Policia e Vlorës ka shoqëruar në komisariat 15 persona si të dyshuar apo që mund të kenë dijeni për atentatin. Shpërndaje te miqtë