'Mish derri me verë' për drekën e së shtunës

exit.al 4 Prill 2020, 09:35

Është akoma atmosferë dimri kështu që kjo pjatë ka akoma vendin e vet në tavolinën tonë. Është një nga recetat e preferuara. Një recetë që në bazë bëhet me mish viçi por JaMystic iu propozon recetën e adaptuar.

Mish derri me verë

Për 4 persona:

  • 1 ½ kg mish derri (kofshë e një derri të vogël),
  • 2 thelpinj hudhre,
  • tufë me erëza (dy degë trumzë, dy degë rozmarinë, dy gjethe dafinë, disa degë majdanoz),
  • 4 qepë të thata,
  • 2 karrota,
  • 1 lugë rrush të thatë,
  • 1 shishe vere të kuqe (Merlot),
  • vaj ulliri.

Skuqim në një tenxhere mishin e derrit duke e kthyer nga të gjitha anët deri sa të marrë ngjyrë të kuqërremtë. Shtojmë aty qepët, hudhrat dhe karrotat dhe i skuqim bashkë me mishin deri sa të marrin ngjyrë .

I shuajmë me verë (3/4 e shishes). I hedhim kripë (ose një kubik vegeta). Të gjitha erëzat e lidhura me një fill kuzhine ose pe në mënyrë që gjethet e rozmarinës të mos shpërndahen.

E lëmë në zjarr të avashtë për 4-5 orë në këtë mënyrë mishi do të bëhet shumë i shkrifët. 30 minuta para se ta heqim, i hedhim rrushin e thatë.

JaMystic këshillon: Kjo recetë shoqërohet shumë mirë me oriz të zier ose patate të ziera.