Meta, të merren masa për kthimin e shqiptarëve të bllokuar në pikat kufitare

exit.al 2 Prill 2020, 20:11

Presidenti Ilir Meta i bëri thirrje qeverisë të marrë masa për rikthimin në vend të shqiptarëve të mbetur në pikat e kalimit kufitar me Malin e Zi dhe me Greqinë.

"Jam duke ndjekur me vëmendje dhe me shumë shqetësim situatën e qytetarëve shqiptarë të cilët ndodhen të bllokuar në pikat e kalimit kufitar me Greqinë dhe Malin e Zi. Situata e pritjes së tyre në kufirin shqiptar dhe pengesa që po hasin kërkon një zgjidhje të shpejtë", shkroi Presidenti Meta në facebook.

Ai i kërkoi autoriteteve përgjegjëse "të informojnë qytetarët tanë mbi gjendjen dhe procedurat e reja që duhen respektuar në pikat tona kufitare,  në mënyrë që të mos krijohen grumbullime të pamenaxhueshme".

Presidenti, gjithashtu i bëri thirrje qytetarëve të komunikojnë "me ambasadat dhe konsullatat tona, si dhe të evitojnë maksimalisht lëvizjet jashtë kushteve të urgjencës dhe domosdoshmërisë".