Meta takim me presidentin hungarez: Potenciali ekonomik mes dy vendeve, i pashfrytëzuar

exit.al 5 Korrik 2021, 16:48

Presidenti i vendit, Ilir Meta, në takim me presidentin hungarez Áder, deklaroi se potenciali i zhvillimit ekonomik mes vendeve mbetej i pashfrytëzuar.

"Vlerësuam se mundësitë e bashkëpunimit ekonomik janë ende të pashfrytëzuara aq sa duhet dhe se shkëmbimet tregtare, ekonomike dhe turistike janë ende larg mundësive të prekshme të të dyja vendeve," u shpreh Meta.

Ai çmoi dëshirën e dyanëshme për të patur një bashkëpunim të thelluar.

"Marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë të shkëlqyera, dhe sa historike aq edhe tradicionale," tha Meta.

Presidenti vlerësoi rolin e Hungarisë për mbështetjen ndaj vendit në kuadër të proceseve integruese në NATO dhe Bashkimin Europian. Ai shprehu besim se Hungaria do të ndihmojë vendin në arritjen e konsensusit për hapjen e negociatave.

"Hungaria është një vend fqinj i rajonit tonë dhe shumë e interesuar për stabilitetin dhe zhvillimin e tij dhe ne e vlerësojmë shumë rolin e saj në këtë drejtim," deklaroi presidenti.

Meta gjendet sot në Hungari me rastin e përurimit të ngritjes së statujës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastëriot Skënderbeu.