Meta kujton masakrën e Reçakut: Dëshmi e gjenocidit serb

exit.al 15 Janar 2021, 14:50

Presidenti Ilir Meta ka kujtuar të premten masakrën e Reçakut. Përmes një postimi në Facebook, Meta shkruan se kjo masakër mbetet një dëshmi gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë.

“Në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, nderojmë sot me dhembje dhe respekt të thellë kujtimin e 45 civilëve të pafajshëm, që humbën jetën në Masakrën e Reçakut, si dhe të gjitha viktimat e paharruara të krimeve barbare të regjimit të Millosheviçit.

Kjo masakër e kryer në zemër të Europës, që shokoi mbarë botën, mbetet një dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, që nuk duhet harruar dhe as mohuar, për të shmangur çdo rrezik për riciklimin e dhunës në rajonin tonë, që ende i ka të freskëta plagët dhe vuajtjet e luftrave.”

Meta shprehu falenderime për ambasadorin William Walker për denoncimin e këtyre krimeve dhe garantoi se ato nuk do të harrohen kurrë. Shpërndaje te miqtë