Meta dëshmon në prokurori: Dvorani, shkelje flagrante të Kushtetutës

exit.al 10 Dhjetor 2019, 15:01

Presidenti Ilir Meta dëshmoi sot në Prokurorinë e Tiranës për padinë e bërë ndaj Ardian Dvoranit, kreut të KED, për shpërdorim detyre. Pas daljes nga prokuroria, presidenti i kërkoi prokurorisë të veprojë e paanshme dhe të jetë profesionale, pasi provat e dorëzuara nga presidenca tregojnë qartë shkeljet e Dvoranit:

“Jam këtu në përgjigje të ftesës së prokurorisë pas padisë ndaj shtetasi Ardian Dvorani për dy vepra të qarta penale, shpërdorimin e detyrës dhe përvetësimin e kompetencës së detyrës shtetërore. Rasti është tmerrësisht flagrant. Shpresoj që prokuroria të mos jetë në presione politike dhe të bëjë punën e saj me profesionalizëm dhe durim.  Të gjitha provat e depozituar deri tani janë të mjaftueshme që prokuroria të veprojë ndaj Dvoranit.”

Presidenti tha se Ardian Dvorani, me veprimet e tij ka vënë në dyshim dinjitetin dhe Kushtetutën e shtetit. Ai njoftoi dhe publikimin e një videoje për qytetarët ku sqarohen shkeljet që Dvorani i ka bërë Kushtetutës. Rreth 2 javë më parë, Presidenti Meta paditi për “shpërdorim detyre” dhe“përvetësimin e kompetencës së detyrës shtetërore”. Kallëzimi vjen pas ngërçit në Gjykatën Kushtetuese ku Arta Vorpsi dhe Marsida Xhaferllari pretendojnë të njëjtin vend, njëra e zgjedhur nga Parlamenti dhe tjetra nga Presidenti. Zoti Meta e fajëson Zotin Dvorani si përgjegjës për situatën, pasi ai i ka dërguar qëllimisht dy herë në të njëjtën ditë listat e kandidatëve për dy vende vakante.