Merkel apel familjeve: Durim, ende jo gati të hapim shkollat

exit.al 31 Janar 2021, 08:38

Kancelarja gjermane Angela Merkel i ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë kufizmet dhe të bëjnë durim, si e vetmja mënyrë për të ndalur përhapjen e Covid-19.

Të shtunën, Merkel falenderoi familjet që po përballen me mbylljen e shkollave e kopshteve, por tha se është ende herët për hapjen e tyre.

“Nuk jemi ende gati që të rihapim çerdhet dhe shkollat. Por, nëse jemi më konsistentë, mbajmë distancën, respektojmë rregullat e higjienës dhe mbajtjes së maskës, kjo (rihapja) do të ndodhë më shpejt,” u shpreh Merkel.

Në të njëjtën kohë, Merkel paralajmëroi qytetarët për "një rrezik real nga mutacionet e virusit që janë shumë ngjitës".

Qeveria gjermane është përballur me kritika për procesin e ngadaltë të vaksinimit. Gjermani ka pasur problem me furnizimin me vaksina nga kompanitë Pfizer e BioNTech, si dhe pasiguri në lidhje me efikasitetin e vaksinës AstraZeneca tek njerëzit e moshës 65 vjeç e lart.

Deri më tani në Gjermani, kanë marrë një dozë të vaksinës rreth 2,2 milionë banorë.

Ndërsa numrat e të infektuarve ditorë vazhdojnë të jetë të lartë: mbi 2,2 milionë të infektuar në total, mes të cilëve mbi 57 mijë kanë humbur jetën.

Shpërndaje te miqtë