Mbi 10 milionë francezë të papunë për shkak të epidemisë

exit.al 22 Prill 2020, 16:29

Një në çdo dy punonjës të sektorit privat në Francë ka mbetur papunë për shkak të masave kufizuese të vendosura për të ndalur epideminë e Covid-19.

Janë më shumë se 10 milionë francezë të cilët pritet të përfshihen në programet ekonomike të qeverisë të cilat synojnë zbutjen e efekteve financiare të epidemisë.

Aktualisht rreth 820 mijë punonjës kanë aplikuar në programin që garanton 84 për qind të pagës për ato sipërmarrje të cilat u mbyllën prej masave kufizuese.

Ekspertët kanë përllogaritur se 2 muaj shtetrrethim i kanë kushtuar €120 miliardë euro humbje ekonomisë së Francës.

Presidenti Macron është zotuar se asnjë kompani apo sipërmarrje nuk do të braktiset përballë rrezikut për faliment ndërsa javën e shkuar u miratuan 110 miliardë euro ndihma ekonomike.

Nga ana tjetër qeveria ka marrë përsipër interesat e kredive të një pakete prej 40 miliardë eurosh kredi që do t’u mundësohen 250 mijë bizneseve.

Por grupet e bizneseve vazhdojnë të ushtrojnë presion në mënyrë që qeveria të shtyjë pagesat e taksave.

Franca është në shtetrrethim prej 17 marsit, masat kufizuese janë në plan deri më 11 maj.

Mbi 2,6 milionë njerëz janë infektuar me Covid-19 në gjithë botën, ndërsa 178 mijë prej tyre kanë vdekur, 20 mijë janë shënuar në Francë.

Në fillim të prillit, banka e shtetit francez deklaroi zyrtarisht hyrjen në recesion të ekonomisë pasi në 3 muajt e parë të vitit ekonomia kishte shënuar rënie prej 6 për qind.

Organizata Botërore e Tregtisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë paralajmëruar efektet e rënda që pandemia do të sjellë në ekonomi ku hamendësohet se pas mposhtjes së infeksionit bota do të vuajë krizën më të thellë që prej viteve ’30.