Marrëveshjet e nënshkruara mes Shqipërisë dhe Turqisë

exit.al 6 Janar 2021, 19:49

Qeveria shqiptare dhe ajo turke kanë nënshkruar të mërkurën pesë marrëveshje në Ankara.

 - Marrëveshja e Bashkëpunimit në Fushën e Shëndetësisë, e nënshkruar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe homologut të saj turk, Fahretin Koca.

Marrëveshja parashikon që Turqia të trajtojë falas 100 pacientë shqiptarë në vit si dhe të mundësojë asistencë në kualifikimin e stafit shëndetësor.

 - Marrëveshja për Bashkëpunimin në Arsim, e nënshkruar nga ministri turk i arsimit Zija Selçuk dhe ministrja Evis Kushi. Me anë të kësaj marrëveshjeje është rënë dakord që të ketë ndërlidhje të universiteteve dhe shkollave mes dy vendeve dhe hapjen e një filjali në Shqipëri të një shkolle të teknologjisë nga Turqia.

- Marrëveshja për Restaurimin dhe Konstruksionin e sistemit të mbrojtjes nga përmbytjet për Xhaminë e Shkodrës mes Drejtorisë së Përgjithshme të Fondacioneve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë, përfaqësuar nga Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoi dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë.

- Marrëveshje në fushën e ndërtimit midis Ministrisë turke për Mjedisin dhe Planifikimin Urban dhe Ministrisë shqiptare të Infrastukturës dhe Energjitikës. Turqia ka rënë dakord të ndërtojë një spital të ri në Fier.

 - Marrëveshja për ngritjen e Këshillit për Bashkëpunim të Nivelit të Lartë mes Shqipërisë dhe Turqisë e nënnshkruar nga kryeministri Rama dhe Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan. Ky këshill synon të lehtësojë dhe thellojë marrëdhëniet e bashkëpunimit në fusha si siguria, mbrojtja, energjetika, turizmi, infrastruktura, arsimi dhe kultura.

Shpërndaje te miqtë