Maqedonia e Veriut: Shqiptarët marrin ministrinë e jashtme dhe zëvendëskryeministrin

exit.al 31 Gusht 2020, 10:40

Zoran Zaev u zgjodh Kryeministri i ri të Maqedonisë së Veriut, tetë muaj pas dorëheqjes së tij, diten e dielë, raporton European Western Balkans.

Qeveria e re u zgjodh me 62 vota pro dhe 51 vota kundër. Koalicioni qeverisës përbëhet nga Unioni Social Demokratik i Maqedonisë, Unioni Demokratik i Integrimit dhe deputeti i vetëm i Partisë Demokratike të Shqiptarëve.

Qeveria e re ka 19 ministra, shtatë më pak se ajo e mëparshmja. Zëvendëskryeministri i parë është Artan Grubi i BDI-së, i cili do të jetë përgjegjës për sistemin politik.

Zëvendëskryeministrat e tjerë janë Nikola Dimitrov, i ngarkuar me integrimin evropian, Ljupço Nikollovski, i ngarkuar me luftën kundër korrupsionit dhe Fatmir Bitiqi, i ngarkuar me çështjet ekonomike.

Bujar Osmani (BDI) është Ministri i ri i Punëve të Jashtme, ndërsa Oliver Spasovski, Radmila Çekerinska dhe Venko Filipçe mbajtën përkatësisht pozitat e tyre si Ministra të Brendshëm, Mbrojtjes dhe Shëndetësisë.

Sipas Zaev, përparësitë e qeverisë së re do të jenë trajtimi i pasojave të COVID-19, administrata publike, lufta kundër korrupsionit dhe integrimi evropian.

Komisioneri Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Olivér Várhelyi shkroi në Twitter se ai pret që të punojë me qeverinë e re të Zoran Zaev mbi reformat dhe përparësitë e lidhura me BE, në interes të qytetarëve.

"Është e rëndësishme që të gjitha forcat në shoqëri të punojnë së bashku drejt këtij qëllimi, në funksion të progresit në rrugën drejt BE", shkroi ai.

Protesta anti-qeveritare e krahut të djathtë u zhvillua përpara Delegacionit të BE në Shkup dhe ndërtesës së Parlamentit të Dielën.

Shpërndaje te miqtë