Manastirliu premton njohjen e certifikatës së vaksinimit në BE brenda shtatorit

exit.al 8 Shtator 2021, 13:41

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu premtoi të mërkurën se brenda shtatorit do të përfundojnë procedurat për njohjen e certifikatës së vaksinimit të Shqipërisë në vendet e Bashkimit Europian.

Aktualisht certifikata e vaksinimit që qytetarët marrin nga portali e-albania nuk mund të përdoret si dokument për të vërtetuar vaksinimin në rast udhëtimi në vendet e Bashkimit Europian.

Kjo ndodh pasi sistemi i Shqipërisë ende nuk është integruar me standardet e sigurisë që kërkon sistemi i BE.

Pra megjthëse mund të jesh plotësisht i vaksinuar, për udhëtimet jashtë vendit qytetarët shqiptarë duhet të paraqesin një test negativ të COVID-19.

Por sipas ministres Manastirliu certifikatat pritet të njihen brenda shtatorit.