Manastirliu mohon praninë e varianteve të reja të virusit në vend

exit.al 2 Shkurt 2021, 10:39

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi, të martën, se në vend nuk është identifikuar asnjë rast me variantet e reja të Covidit:

“Deri tani ne nuk kemi identifikuar raste të varianteve të reja të Covid-19, por puna është duke vazhduar.”

Ajo tha se Instituti i Shëndetit Publik dërgon vazhdimisht mostra jashtë për t’i testuar, por deri tani nuk kanë rezultuar positive për variantet e tjera. Pak ditë më parë Shefja e Departamentit të Epidemiolgjisë në ISHP, Silva Bino sqaroi se kanë qenë të paktën dy persona në Elbasan, të dyshuar për infektimin me një mutacion të Covid-19. Në laboratorët e Institutit të Shëndetit Publik mund të dallohen mutacionet e Covid-19, por nuk mund të përcaktohet se cili mutacion është. Shqipëria është pjesë e një rrjeti ndërkombëtar, përmes së cilit ISHP dërgon mostrat e dyshuara në laboratorë të specializuar. Deri më tani, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut janë zbuluar të infektuar me variantin britanik të Covid-19. Në Maqedoni madje, një prej të infektuarve ka humbur jetën. Shpërndaje te miqtë