Lubonja për vizitën e Ramës në Turqi: Po luan me dy porta

exit.al 7 Janar 2021, 18:50

Gazetari dhe publicisti Fatos Lubonja e ka komentuar vizitën e kryeministrit Edi Rama në Turqi si 'lojë me dy porta': Rama po luan me Turqinë, por dhe me Europën. Analisti Lubonja deklaroi në News 24 se Rama dhe Erdogan duket se 'instrumentalizojnë njëri-tjetrin'. Lubonja beson se Erdogan nuk e priti Ramën në mënyrë madhështore se ka respekt për të, por e ka bërë për interesat e tij. Gjatë intervistës Lubonja tha:

“Të dy liderët bëjnë politikë, instrumentalizojnë njëri-tjetrin. Erdogan ka pasur influencën për të ndikuar në Ballkan, sidomos ku ka myslimanë, ka pasur konflikte edhe me Greqinë, edhe me Europën, për figurën e tij.

Rama do të luajë me dy porta, duke luajtur edhe me Turqinë. Edhe kjo është për pushtetin e vet.”

Presidenti turk Erdogan priti të mërkurën kryeministrin Edi Rama me një ceremoni pompoze. Erdogan dhe Rama nënshkruan, të mërkurën, një marrëveshje për ngritjen e një Këshilli të Lartë Bashkëpunimi Strategjik mes Shqipërisë e Turqisë. Kjo marrëveshje do të thotë se bashkëpunimi mes Shqipërisë e Turqisë do të thellohet më tej. Për të lexuar një listë të marrëveshjeve Turqi-Shqipëri, klikoni këtu. Shpërndaje te miqtë