LSI pretendon se qeveria ka përkeqësuar gjendjen me masat kundër virusit 

exit.al 6 Dhjetor 2020, 13:29

Lëvizja Socialiste për Integrim ka akuzuar të dielën qeverinë se masat e saj kundër pandemisë nuk kanë dhënë asnjë rezultat. 

Nënkryetari i LSI Petrit Vasili pohoi se, përkundrazi, masat e kanë përkeqësuar situatën. 

Ai bëri një bilanc të situatës së Covid-19 në një postim në Facebook, ku pretendoi se numri i viktimave nga COVID-19 është rritur me 85% nga dita kur opozita denoncoi se qeveria manipulon shifrat e viktimave nga koronavirusi.

“Prej datës 4 nëntor deri në 19 nëntor janë shënuar 125 raste humbje jete nga COVID në Shqipëri. Ndërsa pas denoncimit nga Opozita të problemit të vdekjeve, që prej datës 20 nëntor deri 5 dhjetor pati 232 raste humbje vdekje”, është shprehur ai. 

Vasili i ka kërkuar llogari prokurorisë se pse nuk ka reaguar.

“Si mundet që Prokuroria të mbyllë sytë përpara këtij realiteti tragjik. Mosveprimi i  prokurorisë e rëndon shumë pozitën e saj përpara ligjit dhe moralisht e vë atë kundër qytetarëve”, vazhdoi ai.

Qeveria ka mohuar se ajo i manipulon statistikat e lidhura me virusin.

Shpërndaje te miqtë