Ligji i Klimës i BE-së, siguron reduktim drastik të gazrave serë

exit.al 24 Qershor 2021, 17:51

Objektivat e Bashkimit Evropian për emetimin e gazrave serë do të jenë të detyrueshme të zbatohen nga vendet anëtares, sipas një ligji mbi klimën që Parlamenti Evropian miratoi të enjten.

Ligji hap rrugën për ndërrmarrjen e një sërë politikave që do të shkurtojnë ndotjen dhe ndikojnë në ngrohjen e planetit.

Objektivat aktuale të BE-së u ashpërsuan në prill të këtij viti, pas një debati të veshtirë mes vendeve anëtare.

Ato parashikojnë një zvogëlim të emetimeve neto të gazrave me 55% deri në 2030, krahasuar me nivelet e vitit 1990, dhe eleminim të emetimeve neto deri në 2050.

Ligji gjithashtu parashikon krijimin e një organi të pavarur ekspertësh, që do të këshillojnë mbi politikat klimatike, dhe një buxhet të dedikuar për të matur emetimet totale të Bllokut vitet e ardhshme.

Legji do të ketë një impakt të thellë në një sërë ligjesh të tjera, të cilat duhet të rishkruhen ose të përshtaten për të arritur objektivat.

Shumica e ligjeve të BE janë krijuar për të përmbushur objektivin e mëparshëm të bllokut për të ulur emetimet me 40% deri në 2030 dhe kanë nevojë për azhurnim për të përmbushur qëllimet e reja. Emetimet e BE-së në 2019 ishin 24% më të ulëta se në 1990.

"Sot është një ditë historike. Në qoftë se nuk i ulim shpejt emetimet tona, shkenca është e qartë. E ardhmja do të jetë katastrofike," citohet Social Demokratja Suedeze Jytte Guteland nga Reuters.

"Ky është ligji i ligjeve, sepse ai do të na disiplinojë në vitet që vijnë," u shpreh nga ana tjetër Frans Timmermans, kreu i politikës së klimës së BE.

Vendet anëtare të BE-së do ta miratojnë zyrtarisht ligjin të hënën, pavarësisht protestave të disa partive të gjelbra të cilët për vitin 2030 kërkojnë një reduktim më të madh të gazrave serë.