Liderët botërorë mbledhin 7,4 miliardë euro për gjetjen e vaksinës anti-Covid 19

exit.al 5 Maj 2020, 10:01

Udhëheqësit botërorë, me përjashtimin të presidentit amerikan Donald Trump, grumbulluan rreth 7.4 miliardë euro për të financuar studimet shkencore për vaksinat dhe terapitë kundër Covid-19.

Të mbledhur në një takim virtual organizuar nga Bashkimi Europian, liderët premtuan se paratë do të përdoren gjithashtu për shpërndarjen e vaksines në vendet e varfëra në kohë dhe në mënyrë të barabartë.

Paratë do të përdoren kryesisht për të përshpejtuar procesin e kërkimit dhe testimit të koordinuar mes grupeve të ndryshme të shkencëtarëve dhe për të nxitur kompanitë farmaceutike që të shpërndajnë çdo vaksinë e terapi dhe në vendet më të varfra, diçka që nuk ndodhi gjatë shpërthimit të gripit të derrave në vitin 2009.

Samiti virtual i thirrur nga BE-ja, u drejtua personalisht nga drejtuesit e Francës, Gjermanisë, Spanjës, Italisë, Kanadasë, Japonisë, Jordanisë, Norvegjisë, Izraelit, Afrikës së Jugut dhe BE-së, dhe mori formën e një maratone me premtime.

Departamenti i Shtetit Amerikan megjithëse nuk mori pjesë në takim, përshëndeti nismën dhe  e përshkroi atë si "konferencën e premtimeve në Evropë", edhe pse samiti ishte parashikuar si një përpjekje globale, dhe jo evropiane.