LDK propozon 7 shkurtin si datë për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë

exit.al 22 Dhjetor 2020, 17:05

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, ka propozuar datën 7 shkurt për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në Kosovë.

Abrashi tha se gjatë takimit me presidenten në detyrë Vjosa Osmani, i bëri asaj këtë propozim.

“Gjithsesi ky është takim preliminar dhe besoj që në takimet, pas aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, e caktojmë edhe më saktë datën”, tha Abrashi pas takimit me Osmanin.

LDK-ja nuk ka ende kandidat për kryeministër, tha ai.

Osmani nisi të martën takimet me përfaqësues nga të gjitha partitë, sa i takon zgjedhjeve të parakohshme.

Kjo erdhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli votën e deputetit Etem Arifi për qeverinë Hoti të pavlefshme.

Vota e tij ishte vendimtare në formimin e qeverisë aktuale, i cili mori vetëm 61 vota në parlamentin me 120 vende, numri minimal i votave të kërkuara.

Vendimi i Kushtetueses rrëzon votimin e qeverisë Hoti pasi nuk sigurohet numri i mjaftueshëm i votave në Kuvendin e Kosovës.

Në këtë rast, vendi duhet të mbajë zgjedhje brenda 40 ditësh.

Çështja në Kushtetuese u zhvillua me kërkesë të partisë Vetëvendosja, e cila pretendon se qeveria Hoti është e paligjshme, sepse për formimin e saj ka votuar dhe deputeti Etem Arifi.

Kreu i LDK-së Isa Mustafa nuk ka shkuar në takim me presidenten. 

Shpërndaje te miqtë