“Si mandatar për kryeministër të Qeverisë së Kosovës, mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Është koha të bashkohemi për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve tanë.”
Kryetari i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës, Isa Mustafa u shpreh:"Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë . Të gjithë duhet ta respektojmë dhe ta zbatojmë.
Vendimi i Gjykatës nuk i destinohet një partie dhe një grupi, por një zgjidhjeje kushtetuese e cila do të vlejë për të gjithë ne, tani dhe në të ardhmen.
I takon Qeverisë së ardhshme, të drejtuar nga LDK që të mbajë peshën e demokracisë dhe të kësaj drejtësie të ndarë nga Gjykata Kushtetuese."
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së:“Përshëndes aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i hap rrugë formimit të Qeverisë së re. Ftoj të gjitha palët që ta respektojnë këtë vendim dhe të veprojnë konform tij.
I mandatuari për krijimin e Qeverisë së re, Avdullah Hoti, duhet që sa më parë të kompletojë ekipin dhe Kuvendi pa humbur kohë të caktojë seancën për votimin e Qeverisë.”
Kujtojmë se përpara se Vetëvendosja të çonte çështjen në Gjykatën Kushtetuese, presidenti Thaçi kishte mandatuar Avdullah Hotin, propozuar nga LDK, për të formuar qeverinë e re. LDK kishte arritur marrëveshje për koalicionin e ri me AAK-në e Haradinajt, Nisma për Kosovën e Fatmir Limajt, Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit dhe pakicat.
