Kurti i kërkon BE-së futjen e Kosovës në listën e vendeve të sigurta

exit.al 18 Qershor 2021, 17:22

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kërkoi liberalizimin e vizave dhe futjen e Kosovës në listën e vendeve të sigurta ndaj Covid-19.

Këto kërkesa, Kurti i bëri në samitin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar në Vjenën në kujdesin e Kancelarit austriak Sebastian Kurz, të premten.

Kërkesat e tjera të Kurtit, sipas një postimi në Facebook, janë:

Më shumë investime, dhe kompanitë austriake janë të mirëseardhura e të dëshiruara.

Kosova dhe Serbia të bëjnë një deklaratë të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim.

Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të ballafaqohet me të kaluarën.

Kosova e Serbia të zbatojnë reciprocitetin sa i përket të drejtave të pakicave.

Të hiqen vizat për Kosovën në mënyrë që qytetarët tanë të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së.

6 shtetet e Ballkanit Perëndimor të kalojnë nga CEFTA në SEFTA (Marrëveshja Evropiane për Tregti të Lirë me Evropën Juglindore) sipas shembullit të EFTA-EEA, pra siç e kanë Lihtenshtajni, Norvegjia e Islanda me BE-në.