Konjufca kritikon sërish Valdete Dakën: Po drejton planin për ndalimin e Kurtit në zgjedhje

exit.al 22 Janar 2021, 19:10

Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca kriktoi sërish të premten kryetaren e KQZ Valdete Daka, duke e akuzuar atë se po drejton planin për ndalimin e Albin Kurtit në zgjedhje.

Ai ka shkruar në Facebook se me vendimin e ditës së premte, ku Zyra e Certifikimit rekomandoi certifikimit e 47 kandidatëve bazuar në aktgjykimin e fundit të Kushtetueses, Daka e vërtetoi se është në krye të planit.

Konjufca shkroi:

“I ftoj tash të gjithë ata që dje i thonin VV-së "të respektohet ligjshmëria", këtë parim ta thonë edhe një herë e me zë të lartë tash që Zyra e Pavarur e Certifikimit i dha të drejtë Albin Kurtit. Nëse ky rekomandim nuk zbatohet, atëherë kush nuk po i zbaton vendimet "veç kur nuk po i konvenojnë"? VV-ja a Valdete Daka”.

Sipas tij nëse bordi politik i KQZ-së i mbivendoset Zyrës profesionale të Certifikimit, kjo e fundos pavarësinë e këtij institucioni.

Konjufca është shprehur se:

“Të drejtat e njeriut dhe demokracia nuk mund të determinohen nga një forum politik, drejtuesja e të cilit, siç po tregon me sjelljen e saj, është përbetuar për eliminimin e Albin Kurtit nga gara e barabartë zgjedhore”.

Gjatë së enjtes Konjuca dhe Daka u përplasën disa herë për këtë çështje.

Në një deklaratë për mediat Daka tha se ajo është kërcënuar dhe këto kërcënime po i përjeton dhe familja e saj.

Daka ka deklaruar se akuzat politike të partive, lidhur me përjashtimin nga gara të kandidatëve të dënuar, janë ndërhyrje në punën e KQZ për zgjedhjet.

Më pas Konjufca, akuzoi kryetaren e KQZ se po punon për pamundësimin e kandidimit për deputet të kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurtit.

Shpërndaje te miqtë