Komisionet parlamentare do të zhvillohen online, mes kritikave të opozitës

exit.al 23 Shtator 2021, 11:14

Para zhvillimit të seancës parlamentare të së enjtes, u mbajt një mbledhje e Konferencës së Kryetarëve, e cila vendosi se Komisionet Paramentare do të mblidhen online.

Nisma u kundërshtua nga grupi parlamentar i PD-së, sipas një raportimi nga gazetari Osman Stafa, me argumentin se kjo do të dëmtonte trasparencën.

Sipas PD-së, Kuvendi ka hapësira për të bërë mbledhje komisionesh normalisht, ashtu siç u mblodh edhe qeveria.

Por, në fund u vendos të pranohej propozimi i socialistëve për mbledhjet online.

“Qeveria u mblodh fizikisht. Pse do të duhet që komisionet të mos mblidhen sipas kushteve të përcaktuara nga Kuvendi, fizikisht, dhe jo në mbledhje qesharake," deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.

Konferenca e Kryetarëve diskuton dhe vendos për programin e punës, kalendarin e punimeve të Kuvendit dhe të komisioneve të tij, si dhe për çështje të zhvillimit të punimeve të Kuvendit në seancë plenare. K

Ajo përbëhet nga Kryetari i Kuvendit, zëvendëskryetarët e Kuvendit, kryetarët e grupeve parlamentare dhe kryetarët e Komisioneve të Përhershme Parlamentare. Në të merr pjesë edhe minsitrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Kuvendi pritet të diskutojë sot mbi përbërjen e Komisioneve të Përhershme Parlametare e veçanërisht mbi vendet që do të zihen nga LSI-ja e PSD-ja, që kanë qënë shkak për përballje mes PD-së dhe shumicës socialiste.