Kuvendi shpall sot përbërjen e Komisioneve Parlamentare

exit.al 23 Shtator 2021, 09:35

Kuvendi mblidhet të enjten, në orën 10.00, për të shpallur përbërjen e Komisioneve të Përhershme Parlamentare, pas përcaktimit të krerëve në mbledhjen e parë.

Javën e shkuar, Lëvizja Socialiste për Integrim depozitoi në Kuvend kërkesën për të patur përfaqësuesit e saj në komisione.

LSI-ja ka propozuar që deputetët e saj, Petrit Vasili, Erisa Xhixho dhe Agron Çela, të jenë pjesë të Komisioneve të Përhershme.

Deputeti Agron Çela propozohet të jetë anëtar i Komisionit të Sigurinë Kombëtare, ndërkohë që Xhixho kërkon të jetë pjesë e Komisionit të Ligjeve,  Komisionit të Integrimit dhe zëvendësuese pranë Komisionit të Medias.

Rishpërndarja e anëtarëve të komisioneve në mënyrë që bëhej vend për anëtarët e LSI-së dhe PSD-së, u bë shkak për përplasje mes PD-së dhe shumicës socialiste.

E para e akuzoi PS-në se kërkonte të kufizonte praninë e opozitës në komisione, ndërsa kjo e fundit u përgjigj se PD-ja donte të minonte aleatin në opozitë.

Sipas rregullores së Kuvendit, çdo deputet duhet të jetë pjesë e komisioneve parlamentare. Numri i tyre në komisione duhet të respektojë balancën shumicë-pakicë.