Opozita akuza qeverisë për mungesë testimesh dhe të ndihmës ekonomike për 750 mijë familje

exit.al 23 Prill 2020, 17:17

Koalicioni opozitar deklaroi se 6 javë qeveria nuk ka bërë mjaftueshme testime dhe ka lënë jashtë ndihmës ekonomike shumë familje në nevojë .

Në një postim në Facebook Partia Demokratike shkruan:

Me shqetësimin më të madh për sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, për ne është e papranueshme që 6 javë pas shpërthimit të epidemisë, qeveria:

1. Ka bërë mesatarisht vetëm 110 teste në ditë, për mbi 2,6 milionë banorë.

2.Ka lënë jashtë ndihmës financiare mbi 750 mijë qytetarë dhe nuk ka shpërndarë ndihmën e premtuar për mijëra të tjerë.

3. Nuk ka akorduar fonde të mjaftueshme për përballimin e krizës, duke e renditur Shqipërinë të fundit në rajon.

Partia Demokratike pohoi se mbas 6 javësh, qeveria vetëm ka gjobitur qytetarët, i ka kufizuar lëvizjen e tyre dhe i ka kërcënuar me burg ata. PD akuzoi qeverinë se ka refuzuar të mbylli fasoneritë , duke i kthyer në vatra të infeksionit në vend.

Koalicioni opozitar i bëri thirrje qeverisë të rishikojë paketën ekonomike si dhe të bëjë publike kontratat sekrete të saj.