KED shkel sërish Kushtetutën, dy propozime për anëtarin e 6-të Kushtetueses

exit.al 22 Dhjetor 2020, 18:35

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi pritet të dërgojë në presidencë emrat e dy kandidatëve për vendin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese. Sipas vendimit të mbledhjes së KED-it të martën, 22 dhjetor, Aleksandër Toma dhe Përparim Kalo kandidojnë për një vend në Kushtetuese. Toma dhe Kalo u intervistuan të martën nga KED, ku prezantuan dhe platformën e tyre në lidhje më kandidimin për në Gjykatën Kushtetuese. KED pritet të vendosë të mërkurën për miratimin e listës përfundimtare të renditjes, e cila do t’i dërgohet më pas Presidentit. Vendimi i KED-it për të hartuar një listë me vetëm dy kandidatë është shkelje e Kushtetutës dhe ligjit për Gjykatën Kushtetuese. Fillimisht, neni 125 i Kushtetutës parashikon se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese përzgjidhen nga kandidatët të renditur në tri vendet e para, nga lista e KED. “Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit.” Kjo gjë përforcohet në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, ku në nenin 7/c parashikon procedurën si zgjidhen anëtarët e GJK nga Presidenti i Republikës.

“Presidenti brenda 30 ditëve nga marrja e listës prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi emëron gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës.”

Po ashtu, pika 5 e këtij neni parashikon se Komisioni i Ligjeve organizon seanca dëgjimore me kandidatët dhe më pas harton një listë me tre emra të cilat i dërgon në seancë plenare për tu votuar me 3/5-at e votave. Kështu KED duhet të hartonte një listë me tre emra që gara të quhet e vlefshme, në të kundërt duhet të njoftonte Kuvendin për të rihapur garën. Në datë 17 Parlamenti miratoi Altin Binajn si anëtarin e pestë të Gjykatës Kushtetuese. Sërish Exit argumentoi në një shkrim se ky veprim i KED është në shkelje të ligjit, pasi KED dërgoi në Kuvend vetëm kandidaturën e Binajt. Por zgjedhja e anëtarit të pestë të Gjykatës Kushtetuese u përshëndet nga ambasadorët e huaj në vend dhe u pa si një hap drejt funksionimit të Gjykatës Kushtetuese.   Shpërndaje te miqtë