Kantieri i ndërtimit zhduk sheshin e pallatit dhe bllokon hyrjen e banorëve

exit.al 11 Qershor 2021, 09:23

Banorët e një pallati në rrugën "Qemal Stafa" kanë denoncuar pranë Citizen Channel bllokimin që u ka bërë hapja e një kantieri ndërtimi për një pallat 9-katësh aty afër.

Sheshi, për të cilin është dhënë leje ndërtimi, ka shërbyer si zonë e përbashkët për rreth 40 vjet.

Tashmë, sipas banorëve, jo vetëm sheshi u zhduk, por gardhi metalik që rrethon kantierin lejon vetëm një meter rrugë për të kaluar.

Kjo është e pamjaftueshme për të lejuar kalimin e mjeteve të ndihmës së shpejt si ambulanca apo zjarrëfiksja.

“Si mund të futet ambulancë këtu me barrelë? Këtu ka dhe të sëmurë ” citohet Irma Abazi, një banore në moshë e pallatit.

Një tjetër banore, Silva Kadia me profesion inxhiniere, ngre pyetje mbi ligjshmërinë e lejes, duke e krahasuar Planin e Detajuar Vendor miratuar nga Bashkia e Tiranës.

Ajo vë ne dukje se sipërfaqja e ndërimit, prej 1681 metrash katrorë, nuk ka ndryshuar, por konfigurimi i sheshit është krejtësisht ndryshe.

Asnjë konsultim nuk është kryer me banorët dhe asnjë nga institucionet nuk iu është përgjigjur ankesave të tyre.

Ata shpresojnë të tërheqin vëmendjen e organizmave të huaja.