Kancelarja Merkel: Do t'i kërkoj BE të ndalë bisedimet me Turqinë

exit.al 4 Shtator 2017, 09:07

Kancelarja gjermane Angela Merkel do t’i kërkojë Bashkimit Evropian të ndalojë bisedimet për anëtarësimin e Turqisë në BE.

Dje në mbrëmje gjatë një debati televiziv, kancelarja Merkel deklaroi:

“Unë nuk shoh që Turqia të mund të anëtarësohet [në BE], kurrë nuk kam besuar se një gjë e tillë mund të ndodhë.”

Ajo shtoi se do të fliste me homologët e saj të BE për të parë nëse "mund t'i japim fund bisedimeve të anëtarësimit".

Qëndrimi i ashpër i Merkelit erdhi pasi Turqia arrestoi dy shtetas gjermanë këtë javë "për arsye politike", duke ashpërsuar marrëdhëniet me shtetin gjerman.

Në total, numri i të burgosurve politike gjerman në Turqi ka arritur në 12.

Prishja e marrëdhënieve Gjermani-Turqi filloi që pas kritikave të Gjermanisë për qëndrimin dhe masat e Presidentit Erdogan pas grushtit të shtetit të verës së kaluar.

Përqëndrimi i pushtetit në duart e Erdogan, arrestimi i qindra mijëra nëpunësve, shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme pa afat dhe pezullimi i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë vetëm disa nga masat e marra në turqi, që janë parë me sy kritik nga vendet evropiane.

Pak ditë më parë dhe Presidenti  i Komisionit Evropian Jean-Cluade Juncker deklaroi se është Turqia ajo “po bën hapa gjigandë për tu larguar nga Evropa.”

Shpërndaje te miqtë