“Nga shqyrtimi i akteve nuk rezulton që prokurori të ketë ngritur akuza për ndonjë prej personave nën hetim dhe për këtë arsye nuk ka qenë e nevojshme t’i drejtohej gjykatës me kërkesë për pushimin e tyre.”
Me fjalë të tjera zonja Marku ka argumentuar se duke qënë se nuk kemi akuza për personat nën hetim, nuk është e nevojshme që të merret miratimi i gjykatës për pushimin e çështjes. Por Kodi përcakton të kundërtën e asaj çfarë zonja Marku ka shkruar në vendimin e saj. Konkretisht neni 329/a përcakton:“Në përfundim të hetimeve paraprake, kur procedohet për krime dhe kur është njëri nga rastet e parashikuara nga paragrafi 1, i nenit 328, të këtij Kodi, prokurori i kërkon gjyqtarit të seancës paraprake pushimin e akuzës ose çështjes.”
Kështu, Kodi nuk e lidh dërgimin e kërkesës në gjykatë për pushimin e çështjes me ngritjen apo jo të akuzave, por me përfundimin e hetimeve nga ana e prokurorisë. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetim për grup të strukturuar kriminal që është në kompetencë të kësaj prokurorie. Mbas përfundimit të hetimeve, prokurori i çështjes ka vendosur se nuk krimi nuk është kryer në kuadër të një grupi kriminal, por në bashkëpunim të thjeshtë. Kodi i Procedurës Penale parashikon se në rast se vepra për të cilën hetohet nuk ka ndodhur duhet që të pushohet hetimi veprën, por i takon gjykatës të miratojë pushimin e saj. Kjo gjë nuk ka ndodhur. Hetimi është pushuar nga prokuroria e Krimeve të Rënda pa marrë miratimin e gjykatës. Ky veprim përveçse bie ndesh me ligjin, bie ndesh edhe me praktikat e mëparshme të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Për shembull, në një rast të mëparshëm, Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela, i ka kërkuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda miratimin e vendimit të një prokurori për shpallje të moskompetencës dhe pushimit të çështjes.
