“Kalimi i pronës shtetërore në private të bëhet edhe në funksion të planeve të përgjithshme vendore, sipas kushteve dhe kritereve që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Vendimi i Këshillit të Ministrave, për këto raste, përcakton gjithashtu kushtet që duhet të plotësojnë kërkuesit e tjetërsimit me kontratë të pronës shtetërore, mënyrën e vlerësimit të pronës shtetërore si dhe organet që përfshihen gjatë procesit dhe rolin e tyre.”
Ligji thjesht i ka dhënë qeverisë Rama pushtet të pakufizuar për t'ia dorëzuar pronën publike biznesmenëve, pa asnjë mbikëqyrje parlamentare dhe pa asnjë lloj transparence apo përgjegjësie publike, me negocim të drejtpërdrejtë, duke ja lën Këshillit të Ministrave të vendosë çmimin dhe kushtet e negocimit. Për këtë arsye, është e arsyeshme të besohet se anulimi i PPP-së me kompaninë Fusha për Teatrin Kombëtar është ndryshimi i metodës me të cilën qeveria dhe Fusha e oligarkë të tjerë do të arrijnë të njejtin rezultat. Është vetëm një tërheqje taktike, për të shmangur një projekt që kishte rreziqe të mëdha për qeverinë edhe klientët e saj ndërtues pasi jo vetëm do i vinte ata përballë rezistencës publike për të mos lejuar fillimin e ndërtimit, por edhe përballë mbikqyrjes dhe llogaridhënies publike gjatë zbatimit. Me qasjen e re, qeveria zbeh kauzën e kundërshtarëve të shembjes së ndërtesës së vjetër të teatrit, shmang transparencën dhe llogaridhënie publike për çdo hap të projektit. Për më tepër ligji referuar më sipër i jep qeverisë më shumë pushtet se sa ligji i veçantë për Teatrin, pasi nuk kërkon përfshirjen e asnjë institucioni tjetër në miratimin e PPP-së. Ndërkohë, me skemën e re garantohen të gjitha përfitimet e mëparshme për privatët e përfshirë por me kosto shumë më të ulët. Në thelb, qeveria sërish do të arrrijë të njejtin rezultat:— Do të prishë ndërtesën e teatrit dhe ndërtojë me fondet e saj projektin që Bajrke Ingels ka bërë me porositë dhe shijet e Kryeministrit. Ndërtimin do ta bëjë një nga klientët e zakonshëm, ndoshta Fusha shpk, që do të ndërtojë më çmime shumë të fyra dhe para publike.
— Fusha shpk dhe dy oligarkë të tjerë (të cilët kanë arritur me dëshirë dhe forcë marrëveshje me shumicën e pronarëve të tokave pas Teatrit) do të ndërtojnë kulla të larta në të gjithë zonën pas ndërtesës së Teatrit deri tek Qendra Toptani.
— Prona publike, që dikur shërbente si parkim, do t’u shitet këtyre ndërtuesve me negociata direkte me qeverinë me çmime shumë të ulta.
Deklaratat e fitores për heqjen dorë nga ligji special për teatrin janë ose naive ose fasadë për të mohuar realitetin: qëllimi i mbrojtësve të teatrit nuk ka qenë anullimi i ligjit, por ruajtja e teatrit. Kjo kauzë duket sot më e humbur se kurrë.
