
Sa herë që në Shqipëri ka protestë kundër qeverisë, nga zyrat e pushtetit rikthehet i njëjti argument se protestat dëmtojnë imazhin e vendit, trembin investimet dhe rrezikojnë integrimin europian.
Edhe Revolucioni i Flamingove u përball me këtë pretendim që rreket ta paraqesë pjesëmarrjen qytetare si pengesë për integrimin, dhe jo demokraci në veprim.
Sipas kësaj logjike, qytetarët duhet të presin gojëqepur derisa anëtarësimi në BE të përfundojë dhe vetëm atëherë të kërkojnë llogari.
Ndërkohë, integrimi konsiderohet një proces që i përket ekskluzivisht qeverisë dhe diplomacisë, ndërsa qytetarët duhet të jenë spektatorë pasivë.
E kundërta është e vërtetë.
Bashkimi Europian nuk është thjesht një organizatë ndërkombëtare ku hyn duke plotësuar disa formularë e duke kaluar disa ligje, por një bashkësi vlerash, institucionesh dhe standardesh që kërkojnë pjesëmarrje aktive të shoqërisë.
Revolucioni i Flamingove jo vetëm nuk është kundër Europës, por është një nga lëvizjet më proeuropiane që ka njohur Shqipëria në dekada. Është zëri i një populli që kërkon ta shohë Europën të mishëruar në shtëpinë e tij, jo thjesht si një flamur blu të ngritur krah atij shqiptar në bulevard.
Bashkimi Europian është para së gjithash një bashkësi vlerash.
Parimet themelore për t'u bërë vend anëtar, të njohura si kriteret e Kopenhagenit, janë: institucione të qëndrueshme demokratike, shtet i së drejtës, respekt për të drejtat e njeriut dhe të pakicave, ekonomi funksionale tregu dhe aftësia për të zbatuar legjislacionin dhe standardet e Bashkimit Europian.
Demokracia europiane është edhe përfaqësuese edhe pjesëmarrëse. Liria e shprehjes, e drejta e organizimit, protesta paqësore, debati publik dhe veprimtaria e shoqërisë civile që po materializohen te Revolucioni i Flamingove janë mishërim i këtyre standardeve.
Institucionet demokratike ekzistojnë për t'u shërbyer qytetarëve si burim i sovranitetit dhe jo interesave të ngushta politike apo ekonomike.
Në demokracitë europiane, pushteti nuk legjitimohet vetëm nga vota, por kufizohet nga ligji. Parlamenti dhe shumicat politike nuk janë mbi rregullat që vetë kanë miratuar.
Ligjet duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë, institucionet duhet të jenë të pavarura, administrata duhet të veprojë mbi bazën e procedurave të parashikueshme dhe vendimmarrja duhet t'i nënshtrohet kontrollit gjyqësor.
Në shkeljen e këtyre standardeve e pati zanafillën edhe revolta në Zvërnec. Gardhet u vendosën dhe buldozerët hynë në zonën e mbrojtur pa asnjë leje, ndërsa forcat e policisë, në vend që të ndërhynin kundër këtyre shkeljeve, u rreshtuan në mbrojtje të tyre.
Ekonomia funksionale e tregut në BE kërkon konkurrencë të ndershme mbi rregulla të qarta dhe të zbatueshme për të gjithë.
Revolucioni i Flamingove po lufton për këtë standard duke kundërshtuar privilegjet, mungesën e konkurrencës së lirë dhe përdorimin e pasurive publike për interesa private. Përmbushja e këtyre kritereve nuk kërkon vetëm miratimin formal të legjislacionit, por zbatimin praktik të tij.
Në thelb, Revolucioni i Flamingove është një auditor qytetar që po tregon dhunimin e kuadrit ligjor të BE-së.
Mbrojtja e natyrës, biodiversitetit dhe mjedisit është një detyrim i pakapërcyeshëm që buron nga Kapitulli 27 për mjedisin dhe klimën. Kapitujt e anëtarësimit nuk mbyllen me deklarata politike apo konferenca shtypi, por duke provuar se standardet janë jetësuar në praktikë.
Prandaj, aktivizimi qytetar po zhbllokon një pengesë potenciale për integrimin, duke dëshmuar se Shqipëria ka një shoqëri civile demokratike që luan rolin e saj për t'i kërkuar llogari qeverisë për zbatimin e legjislacionit europian.
Aspekti më frymëzues i kësaj lëvizjeje është se vlerat europiane për të cilat protestohet nuk po trajtohen si një "import" i detyruar nga jashtë, por si një thirrje e brendshme e popullit shqiptar.
Bashkimi Europian në Shqipëri nuk ka vetëm partnerë institucionalë të detyruar nga axhendat politike, por aleatin e tij më të vërtetë: një popull që ngrihet për t'i kërkuar këto vlera si pasuri e dinjitet, e jo si monedhë shkëmbimi për procese burokratike.
Historia e zgjerimit të Bashkimit Europian tregon se shumica e vendeve kanë kaluar nga protesta të mëdha qytetare gjatë kilometrave të fundit të rrugës drejt anëtarësimit.
Polonia, Çekia, Sllovakia, Rumania, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia dhe vendet baltike kanë përjetuar protesta kundër korrupsionit, klientelizmit, shkatërrimit të mjedisit apo kapjes së institucioneve.
Në ato vende, këto protesta jo vetëm që nuk u konsideruan pengesë për integrimin europian, por shpesh u panë si dëshmi e pjekurisë demokratike dhe e vullnetit qytetar për të kërkuar institucione më të forta dhe qeverisje më të mirë.
Edhe ndërrimi i qeverive gjatë fazës përfundimtare të negociatave nuk qe pengesë për anëtarësimin. Polonia, Republika Çeke dhe Bullgaria i zhvilluan dhe përmbyllën negociatat nën drejtimin e disa qeverive të ndryshme.
Këto raste demonstrojnë qartë se Bashkimi Europian nuk negocion me individë, por me shtete dhe institucione. Kjo logjikë e institucioneve të forta hedh poshtë çdo tentativë për ta shndërruar procesin e integrimit në një çështje mbijetese të individëve në pushtet.
Ne duhet të kishim mësuar tashmë nga ironia historike me verbërinë tonë të personalizimit të skajshëm të pushtetit.
Për dekada, propaganda komuniste ushqeu si pjesë të idhujtarisë ndaj udhëheqësit edhe frikën se Shqipëria nuk mund të ekzistonte pa një njeri të vetëm.
"Çfarë do të bëhet kur të vdesë Enver Hoxha?" ishte pyetja që përsëritej me nënkuptimin se bashkë me të do të shembej edhe shteti.
Por Enver Hoxha vdiq. Shqipëria vazhdoi të ekzistonte—madje vdekja e tij i hapi rrugën ndryshimeve historike që pasuan pak vite më vonë.
Regjimet, qeveritë dhe liderët janë të përkohshëm; vendi dhe kombi janë të përhershëm.
Të mendosh se fati europian i Shqipërisë varet nga një kryeministër i vetëm do të thotë të biesh në të njëjtin kult të individit që demokracia synon ta kapërcejë.
Çfarë do të ndodhte, larg qoftë, nëse nesër kryeministri nuk do të ishte më? A do të ndalej jeta e vendit? A do të varrosej Shqipëria bashkë me të, si skllevërit që dikur varroseshin me faraonët në Egjiptin e lashtë?
Sigurisht që jo.
As Bashkimi Europian nuk do të kishte problem, sepse vetë thelbi i negociatave është ndërtimi i institucioneve të forta ku pushteti është kalimtar dhe jo marrëveshje me individë të gjithëpushtetshëm.
Revolucioni i Flamingove është në thelb një proces dekontaminimi që po përpiqet të nxjerrë nga trupi i Shqipërisë toksinat e paternalizmit politik, klientelizmit dhe korrupsionit.
Revolucioni i Flamingove është shërim.
Nëse politika shqiptare dëshiron ta shohë vendin në Bruksel, duhet të ndalojë së sulmuari ata që po e kthejnë Shqipërinë në një vend europian në praktikë, e jo thjesht në fjalim.
Kur qytetarët ngrihen, ata po i dëshmojnë Europës se Shqipëria është gati, sepse ka mësuar si të mbrojë interesin publik duke kapërcyer idhujtarinë e liderit.
Ata po pastrojnë imazhin e vendit, duke provuar se përtej propagandës ekziston një shoqëri e gjallë, kritike dhe europiane në shpirt.
Integrimi nuk është një dhuratë që na bëhet, por një betejë që fitohet çdo ditë: në çdo protestë, në çdo kërkesë për transparencë dhe në çdo përpjekje për të ndërtuar një shtet që u përket qytetarëve, e jo individëve të pazëvendësueshëm.
