Josep Borell: Zgjidhja e problemeve në Ballkan është përgjegjësi e Bashkimit Europian

exit.al 1 Dhjetor 2020, 18:54

Përfaqësuesi i Bashkimit Europian Josep Borell ka deklaruar, të martën, se BE-ja e ka përgjegjësi që të zgjidhë problemet e Ballkanit. Borell tha se nga kjo varet roli global i Bashkimit Europian.

Ai e bëri deklaratën në një debat në kuadër të 10-vjetorit të krijimit të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së.

“Nëse nuk mund të zgjidhim problemet në Ballkan, atëherë si mund të jemi aktor i rëndësishëm global?!” deklaroi ai.

Gjatë fjalës së tij ai u ndal edhe tek dialogu Kosovë-Serbi, ku deklaroi se ky problem duhet të zgjidhet në kuadër të perspektivës së BE-së. Ai theksoi se e vlerëson ndihmën e SHBA,-së por është BE ajo që duhet të udhëheq procesin e dialogut.

“Vetëm BE mund të paraqesë ofertën e rëndësishme për njerëzit atje dhe ajo është perspektiva evropiane. Në kuadër të kësaj perspektive duhet të zgjidhet problemi”, tha Borell.

 

Shpërndaje te miqtë