JaMystic rekomandon domate të mbushura pë drekë

exit.al 13 Maj 2020, 08:39

Domatet po fillojnë të mbushin tregun dhe kanë shumë shije tani që janë në sezonin e tyre.

Jamystic përdor gjithnjë frutat apo perimet e sezonit pasi ato kanë shijen e vërtetë të natyrës.

Receta e sotme është e thjeshtë: Domate të mbushura me mish.

Për 4 persona duhen

  • 4 domate të bëra (preferenca ato me ngjyrë rozë)
  • 1 qepë e thatë
  • 150g mish të grirë
  • 2 thelpinj hudhër
  • 1 vezë
  • 40g gjalpë
  • 3 lugë gjelle buke të thekur
  • majdanoz, kripë,piper

Ndezim furrën në 250 gradë.

U heqim domateve pjesën e sipërme në formë kapaku. Me një lugë gjelle u heqim tulin edhe farat dhe i lëmë kokëposhtë të kullojnë lëngun e mbetur. Ndërkohë përgatisim mbushjen.

Grijmë qepë, hudhër, majdanoz dhe i fërgojmë në një tigan me yndyrë deri sa qepa të bëhet transparente dhe e heqim nga zjarri.

Marrim një enë qelqi dhe shtojmë mishin e grirë dhe masën e kaurdisur dhe i përziejmë duke shtuar edhe vezën, bukën e thekur, kripë piper.

E mbushim çdo domate me këtë masë, i mbulojmë me kapakun përkatës dhe i fusim në furrë në një enë të yndyrosur më parë.

30 minuta në 220 gradë dhe 10 minuta në 250 gradë duke jua hequr kapakun domateve.

Jamystic këshillon: Kjo pjatë mund të shërbehet siç është ose e shoqëruar me oriz basmati.