Drejt Portugalisë për të provuar pastat me krem

exit.al 12 Maj 2020, 08:36

Keni qenë ndonjëherë në Portugali?

Jamystic ju transporton atje me një ëmbëlsirë tipike: Pasta me krem.

Kjo është një nga ëmbëlsirat më të konsumuara atje dhe origjina e saj vjen nga një qytet i vogël Belém, sot një lagje e Lisbonës.

Është shumë e thjeshtë për t'u realizuar megjithëse pastat më të mira kanë akoma recetën e tyre të fshehtë.

Ne do të guxojmë me këtë:

Për 4 persona nevojiten:

  • 1 petë sfoljatë
  • 100g sheqer
  • 25 cl krem pana
  • 4 të verdha vezësh
  • 10g gjalpë
  • 1 lugë kafeje miell
  • 1 limon (cipa në rende)
  • kanellë/ sheqer pluhur për dekor

Ngrohim furrën në 250 gradë.

Në një enë qelqi përziejmë të verdhat e vezëve me sheqerin derisa masa të zbardhet. Hedhim aty miellin, cipën e limonit të grimcuar dhe panën dhe i përziejmë.

Gjithë masën e kalojmë në një tenxhere dhe e vëmë në zjarr të mesëm.

Duke e përzier vazhdimisht presim sa të dalin flluskat e para dhe e heqim nga zjarri.

E lëmë të ftohet pak.

Petën sfoljatë e presim në formë rrethore sipas enëve të vogla ku do t'a vëmë. I lyejmë format me gjalpë që të mos ngjisin dhe vendosim sfoljatën. Përsipër i hedhim kremin me një diferencë prej 1 cm nga sipërfaqja sepse vezët do të fryhen. E përsërisim veprimin për të gjitha format.

I vendosim në furrë për 5 min në 250 gradë dhe për 10-15 min në 200 gradë.

Jamystic këshillon: Për një shije edhe më të theksuar i hedhim përsipër pas furrës një përzierje kanellë/ sheqer pluhur . Unë preferoj t'i konsumoj të vakura.

[caption id="attachment_83732" align="alignnone" width="1280"]WhatsApp Image at Gjate gatimit te pastave me krem[/caption]