“Unë nuk ndjehem fajtor dhe as përgjegjës për asnje pikë të akuzës. Unë deklarohem jofajtor. Nuk kam asnjë faj të vetëm.”
Kështu deklaroi ish-drejtuesi i UÇK-së Jakup Krasniqi, të hënën në seancën e parë gjyqësore para Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë. Krasniqi nuk pranoi asnjë nga akuzat e ngritura nga prokurori special. Ai theksoi se gjendet në gjykatë "pa të drejtë". Në fillim të seancës prokuroria njohu Krasniqin me 10 akuzat:- Përndjekje, krim kundër njerëzimit;
- Burgosje, krim kundër njerëzimit;
- Ndalim arbitrar, krim lufte;
- Akte të tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit;
- Trajtim mizor, krim lufte;
- Torturë, krim kundër njerëzimit;
- Torturë si krim lufte;
- Vrasje, krim kundër njerëzimit;
- Vrasje e paligjshme si krim lufte;
- Zhdukje me forcë e personave, krim kundër njerëzimit.
