Instituti Ndërkombëtar i Medias dënon sulmin me armë ndaj gazetarit Kajtazi

exit.al 19 Tetor 2020, 19:30

Instituti Ndërkombëtar i Medias (IPI) ka dënuar sulmin me armë kundër makinës së gazetarit kosovar Shkumbin Kajtazi, të dielën.

"Ne dënojmë me forcë sulmin e fundit ndaj makinës që i përket Shkumbin Kajtazit dhe i nxisim autoritetet në Kosovë të hetojnë plotësisht për të identifikuar se kush qëndron pas tyre," u shpreh të hënën një deklaratë për median, IPI.

"Akte të tilla frikësimi kanë një efekt tronditës mbi lirinë e medias dhe përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve në Kosovë," shtuan ata.

Makina e Kajtazit u sulmua në orët e para të mëngjesit të së dielës në qytetin e Mitrovicës, Kosovë.

12 plumba u qëlluan në xhamat e makinës, në vendin e shoferit, në çati dhe në pjesën e prapme. Kajtazi e konsideroi sulmin një kërcënim në lidhje me punën e tij si gazetar.

Shpërndaje te miqtë