Inspektoriati Teknik sqaron arsyet e shpërthimit të gazit në Velipojë

exit.al 5 Korrik 2021, 11:31

Inspektoriati Teknik ka sqaruar arsyet e shpërthimit të bombulës së gazit, të dielën në Velipojë.

"Shpërthimi dhe zjarri kanë ndodhur në katin e parë të objektit [..] nga një nga bombolat e kampingut e lënë e hapur gjatë natës", e më pas ka shpërthyer si pasojë e ndezjes së dritave", shkruhet në raportin e Inspektoriatit.

Një hotel në Velipojë u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit të së dielës si pasojë e shpërthimit të bomblave të gazit që ndodheshin në një magazinë në pjesën e pasme të tij.

Të lënduar kanë mbetur një nënë 40-vjeçare dhe tre fëmijët e saj, dy prej tyre të mitur dhe një 18 vjeç.

Katër anëtarët e një familjeje që u lënduan nga shpërthimi i bombolës së gazit në Velipojë janë në gjendje të kritike.

Gjergji Belba, shef i shërbimit të Djegie-Plastikës në QSUT u shpreh se nëna me tre fëmijët kanë prognozë të rëndë dhe situata është jashtëzakonisht kritike, si pasojë e shkallës së rëndë të djegies që kanë pësuar.