Hoti thirrje për kujdes ndaj COVID-19: Po qarkullon varianti i ri

exit.al 8 Janar 2021, 22:05

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal pasi tani po qarkullon varianti i ri i virusit Covid-19.

“Rangimi i komunave i bërë sot lidhur me masat anti Covid-19 tregon se po përmirësohet gjendja. Por, duhet të kemi kujdes maksimal pasi tani po qarkullon varianti i ri i virusit Covid-19, i cili po përhapet shumë më shpejt’, ka shkruar Hoti në "Facebook".

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka publikuar sot klasifikimin e ri të komunave sipas shkallës së infektimeve të reja.

Nga sot e deri më 15 janar, në zonën e kuqe, janë përfshirë 7 komuna, 1 më shumë nga vlerësimi i bërë një javë më parë.

Komunat të cilat janë klasifikuara nga minsitria si zona të kuqe për numrin e të infektuarve janë; Prishtina, Fushë-Kosova, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Obiliqi, Zubin Potoku dhe Leposaviqi.

Kosova raportoi të premten 321 të infektuar të rinj dhe 5 viktima me Covid.

Varianti i ri i virusit, i njohur si B.1.1.7., deri më tani rezulton të ketë të njëjtat simptoma si Covid-19, por është më lehtë i transmetueshëm, duke shkaktuar më shumë të infektuar e për pasojë, më shumë të shtruar në spitale në një kohë më të shkurtër.

Aktualisht asnjë rast i këtij virusi nuk është raportuar në Shqipëri dhe në Kosovë.

Shpërndaje te miqtë