Hoti partive politike: Mos fyeni institucionet e pavarura

exit.al 21 Janar 2021, 19:34

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti iu bëri thirrje partive politike të mos fyejnë institucionet e pavarura.

Të enjten Hoti u shpreh se” nuk i takon politikës të vendosë se a kanë apo jo të drejtë ato institucione në vendimet që marrin”, duke iu referuar vendimit të KQZ për mos lejimin e 47 kandidatëve për deputet të marrin pjesë në zgjedhje.

Ai tha se politika ka detyrim vetëm t’i nënshtrohet vendimeve të këtyre institucioneve :

“Ne kemi për obligim të respektojmë vendimet e tyre.  Ne, po ashtu, mundemi që nesër të krijojmë bazën ligjore dhe Kushtetuese, në Kuvendin e Republikës, për të avancuar vendimmarrjen e këtyre institucioneve sipas standardeve me te larta evropiane”.

Të mërkurën, përfaqësuesi i Vetëvendosjes në KQZ, Alim Rama pretendoi se është ndryshuar përmbajtja e kërkesës së Komisionit Qendror Zgjedhor dërguar Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për verifikimin e kandidatëve për deputetë.

Sipas tij ka qenë dy drafte, njëri që përfshin kategorizimin e dënimeve dhe njëri që nuk e përfshin.

Por zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka theksuar se këto drafte nuk janë të Zyrës Ligjore të KQZ-së

Mesditën e së mërkurës KQZ-ja e Kosovës njoftoi se 47 kandidatë për deputetë nga 1,079 kandidatë në listat e partive nuk janë të përshtatshëm për të kandiduar.

Emrat nuk janë bërë ende publik por mediat e Kosovës kanë aluduar se mes tyre është edhe emri i kreut të LVV,por ai ka mohuar të jetë njoftuar për këtë gjë nga KQZ.

Shpërndaje te miqtë