Haradinaj kërkon ndërprerjen e dialogut me Serbinë

exit.al 5 Nëntor 2020, 14:10

Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe partia e tij AAK i kanë kërkuar qeverisë që të ndërpresë menjëherë procesin e dialogut me Serbinë.

Reagimi i AAK-së vjen menjëherë pas dorëheqjen së presidentit Hashim Thaçi.

Pas mbledhjes së kryesisë së AAK-së, partia kërkoi dhe mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë për gjendjen e krijuar pas ngritjes së aktakuzave nga Dhomat e Specializuara.

Po ashtu AKK propozon dhe :

  • Mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë së Kosovës për situatën e sigurisë së përgjithshme;
  • Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në përkrahje të vlerave të UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë;
  • Takim të të gjithë spektrit politik për gjetjen e unitetit kombëtar në ballafaqimin me sfidat politike dhe kushtetuese.

Pak orë më parë, Hashim Thaçi dha dorëheqjen nga posti i presidentit, menjeherë pas konfirmimit të aktakuzës për krime gjatë luftës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Hagës.

Një ditë me parë, edhe Kadri Veseli, aktualisht kryetar i PDK-së, u vu në dijeni për akt akuzën dhe sot është nisur për në Hagë.

Shpërndaje te miqtë