Haradinaj falenderon Bidenin për qendrimin pro pavarësisë së Kosovës

exit.al 7 Shkurt 2021, 19:57

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj falendëroi të dielën Presidentin amerikan Joe Biden për kërkesën ndaj Serbisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në një video publikuar në Facebook, Haradinaj u shpreh:

“Falënderim Presidentit Biden për qëndrimin e qartë në letrën drejtuar presidentit të Serbisë, për domosdoshmërinë e përmbylljes së dialogut me njohje reciproke.”

Në një letër dërguar Vuçiçit për ditën kombëtare të Serbisë, Biden i shprehu atij qëndrimin e Amerikës se dialogu mes dy vendeve duhet të përfundojë me ‘njohje të ndërsjelltë’. Si reagim ndaj mesazhit, Vuçiç u tha gazetarëve se Serbia është e gatshme të vazhdojë dialogun me Kosovën por ajo nuk do ta njohë atë, njoftoi agjencia serbe e lajmeve Tanjug. Ai tha se kjo kërkesë është një politikë e re nga Shtetet e Bashkuara, e cila nuk gjendet në asnjë dokument ndërkombëtar dhe të cilën ai e respekton, sikurse respekton edhe pozicionet e Rusisë dhe Kinës që kundërshtojnë të njohin Kosovën. Shpërndaje te miqtë