Gjobiten dy lokale për shkelje të rregullave anti-Covid19

exit.al 8 Shkurt 2021, 12:51

Policia gjobiti të hënën dy pronarë lokalesh në Tiranë për shkelje të rregullave anti-Covid19.

Në një njoftim zyrtar, policia bën me dije se personat e gjobitur kishin lejuar grumbullime mbi 10 veta, kishin mbajtur muzikë përtej orarit të lejuar si dhe kishin vijuar aktivitetin përtej orës 22:00.

Konkretisht janë gjobitur me 1 milionë lekë:

  1. D.Z., pasi në lokalin ka lejuar grumbullim mbi 10 personash, si dhe muzikë të lartë që prishte rendin dhe qetësinë publike.
  2. M.K., pasi në një bar-longue që ai menaxhonte u konstatua për herë të dytë duke përtej orarit 22:00. Policia vendosi mbylljen e këtij lokali.

Gjobat ndaj bizneseve erdhën menjëherë pas deklaratave të kryeministrit Rama për mosrespektimin e masave anti-Covid19.

Gjatë një konference për shtyp të hënën, Rama lajmëroi rritjen e gjobave për bizneset dhe shtrëngimi e masave kufizuese për qytetarët që nuk zbatojnë masat kundër përhapjes së Covid-19.

Aktualisht në vend është në fuqi shtetrrethimi pas orës 22:00, mbajtja e maskës në ambjentet e brendshme dhe të jashtme, si dhe gjoba prej 1 milionë lek për bizneset që thyejnë këto masa.

Javën e fundit në vend u regjistruan mbi 1000 raste të infektuara në vend, duke shënuar shifra rekord që prej nisjes së pandemisë.

 

Shpërndaje te miqtë