“Ndryshimet kushtetuese tashme janë në fuqi. I doni apo nuk i doni kjo është tjetër çështje. Kemi Kushtetutën në fuqi dhe detyrimin për ta reflektuar në Kodin Zgjedhor”, mësohet të ketë thënë Gjiknuri.
Gjiknuri i kërkoi opozitës të dërgojë propozimet e saj për pragun kombëtar zgjedhor; afatet e paraqitjes së listës unike nga koalicionet dhe si do të ruhen kuotat gjinore me listat 100% të hapura. Gjiknuri e quajti jo të arsyeshme kërkesën e opozitës për t’i kërkuar mendim OSBE-ODIHR për ndryshimet kushtetuese:“Kërkesa juaj për të kërkuar në këtë fazë mendimin e ODIHR është e çuditshme kur jeni ju që na detyruat që të bëjmë një marrëveshje në 5 Qershor e cila binte në kundërshtim me rekomandimin kyç të ODIHR që ishte depolitizimi i administratës zgjedhore”.
Ai sqaroi se “marrëveshja e 14 Janarit thotë se ndërsa negociojmë mbi rekomandimet e ODIHR dhe nuk biem dakord, atëherë i drejtohemi ODIHR”. Gjiknuri i premtoi opozitës se do t’i drejtohen OSBE-së pasi të kenë një darft për ndryshimet kushtetuese. “Unë ju them se jam i gatshëm që pasi të kemi përmbyllur produktin e reflektimit të ndryshimeve Kushtetuese në Kodin Zgjedhor, ti themi ODIHR se si e sheh”, shtoi Gjiknuri. Ai e akuzoi opozitën se kërkon të shkojë në zgjedhje duke shkelur Kushtetutën. “Qëndrimi juaj i sotëm synon që të mos zbatohet Kushtetuta e Shqipërisë dhe thoni,- hajde futemi në zgjedhje me një kod që bie ndesh me Kushtetutën”, përfundoi Gjiknuri. Ndërkohe PD njoftoi sot paradite se nuk do të pranojë asnjë diskutim mbi ndryshimin e koalicioneve. Shpërndaje te miqtë
