GJED: Reforma në Drejtësi në Poloni jo në përputhje me ligjet e BE-së

exit.al 15 Korrik 2021, 11:30

Gjykata Evropiane e të Drejtësisë (GJED) vendosi të enjten se reforma në drejtësi e Polonisë nuk është "e pajtueshme" me ligjin e BE-së, sipas Deutche Welle.

Komisioni Evropian e kishte dërguar çështjen pranë GJED-së, duke u ankuar se Polonia po tërhiqej nga zbatimi i ligjit duke minuar marrëveshjen e BE-së.

Vendimi është zhvillimi i fundit i një çështje 6-vjeçare dhe vendimi i dytë i madh në një javë. Të mërkurën, Gjykata Kushtetuese e Polonisë vendosi se kushtetuta e vendit ka përparësi mbi ligjet e BE-së, duke e përgatitur qeverinë për një përbalje tjetër me vendet anëtarë të BE-së.

Çfarë thotë vendimi i GJED-së?

GJED u shpreh se institucioni i ri disiplinor i vendosur pranë Gjykatës së Lartë polake, nuk jep garanci për paanshmëri dhe pavarësi, dhe në vecanti, nuk është i mbrojtur nga ndikimet direkte dhe indirekte të legjislacionit dhe ekzekutivit në Poloni.

"Gjykata e Drejtësisë mbështeti të gjitha ankesat e bëra nga Komisioni dhe gjeti se Polonia ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve të saj që burojnë nga ligji i BE", tha gjykata.

Gjykata i kërkoi autoriteteve polake të "marrin masat e nevojshme për të ndrequr situatën".

Çfarë është Dhoma Disiplinore e Polonisë?

Ky institucion u krijua si pjesë e një serie reformash të diskutueshme të drejtësisë në Poloni.

Partia qeverisëse e Polonisë, Për Ligjin dhe Drejtësinë (PiS) ka pohuar se krijimi i këtij organi në vitin 2017 ishte pjesë e reformës së një ssitemi drejtësie të shkatërruar nga korrupsioni dhe jo efektiv.

Por kritikët thonë se kjo reform lejon qeverinë të hetojë dhe ndëshkojë gjyqtarët për vendimet e tyre gjyqësore, duke i dhënë qeverisë polake kontroll më të drejtpërdrejtë mbi gjyqësorin.